Lajme

Ikja e mjekëve nga Kosova/ Zemaj: Fajin e ka Qeveria – kjo dukuri është alarmuese

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:00 / 25 July 2024

61 mjekë janë larguar nga Kosova nga 1 janari i këtij viti deri më tani.

Kështu është bërë e ditur nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Për ikjen e tyre, shifrat dhe arsyet, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë për Gazeta Blic se kjo dukuri është alarmuese dhe me të duhet të merren të gjithë mekanizmat shtetëror të shëndetësisë.

“Ikja e mjekëve dhe stafit shëndetësor është në nivele shumë të larta, dhe kjo është më tepër se shqetësim, tani kjo është një alarm i madh me të cilën duhet të merren të gjithë mekanizmat shtetëror të shëndetësisë dhe pjesë jo një problem i tillë të ngritët në nivel qeverie”, shprehet ai.

Deputeti vlerëson se duhet të jetë top prioritet zgjidhja e këtij problemi, nga rritja e pagave e rregullimi i kushteve të punës, deri te ligjet më të avancuara, pasi sipas tij ekziston rreziku i kolapsimit të sistemit shëndetësor.

“Zgjidhja e këtij problem duhet të kthehet në top prioritet, që nga rritja e pagave, rregullimi i kushteve të punës e deri tek krijimi i një ambienti miqësor në punë, ligje me të avancuara dhe sistem shëndetësor që vlerëson punën e secilit sipas performacës, përndryshe sistemi i shëndetësisë rrezikon të kolapsojë”, thekson Zemaj për Gazeta Blic.

Ai shton se fajtore për ikjen e mjekëve është qeveria aktuale që nuk ka bërë asnjë hap për adresimin e kësaj çështje, madje thekson se ajo po e stimulon ikjen e tyre.

“Duhet përmendur faktin se përgjegjësinë kryesore për ikjen e mjekëve e ka qeveria aktuale që nuk bëri as edhe një hap të vetëm për ta adresuar këtë çështje, përkundrazi e stimuloi ikjen e tyre me politika të mbrapshta, e pa vizion, me gjueti shtrigash e degradim të shëndetësisë në të gjitha nivelet”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.