Prokuroria ka njoftuar se 12 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një tjetër, pronar i një biznesi. Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim nga TVSH. Faturat kishin vlerë 18 milionë euro ndërsa pretendohet se rimbursimi do të kapte vlerën 2,8 milionë euro.
KosovaNews ka mësuar se njëri nga ta është Vllaznim Krasniqi, njëherësh inspektor në ATK.
Krasniqi gjatë vitit 2019 u rendit i dhjeti në konkursin e ATK-së për inspektorë, duke dalë më i mirë se 502 kandidatë të tjerë. Ai kishte arritur 81.5% të pikëve në testin me shkrim.
I njëjti ishte mik i anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci.
Gjithashtu, sipas një raportimi të KALLXO.COM, Krasniqi është parë të ketë afërsi edhe me Kadri Veselin, me të cilin shihet duke pirë kafe në një lokal. Megjithatë, ai pati mohuar se ka hyrë në ATK me ndihmën e Partisë Demokratike të Kosovës.