Lajme

Ish-kryeministri Mustafa: Problem janë “Analfabetët” politik që i besuan verbërisht Kurtit

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
5:24 / 28 June 2022

Që nga ardhja në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ndryshuar qëndrimet.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje i ka kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë, ndërsa sot të njëjta marrëveshje po i aprovon, duke thënë se qëndrimet e tyre kanë ndryshuar pasi që kanë ndryshuar edhe rrethanat.

E për ndryshimin e qëndrimeve të Kurtit, për FrontOnline, ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai tha se në Kosovë nuk kanë ndryshuar rrethanat siç po thonë nga Lëvizja Vetëvendosje, por ka ndryshuar pushteti që u zotua se do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet me Serbinë.

“Rrethanat kanë ndryshuar për së keqi, jo për së miri. Kosova ka ngecë, kurse Serbia ka ecur me përkrahje nga BE dhe SHBA, me investime dhe qarkullim tregtar. Në Kosovë ka ndryshuar vetëm pushteti, që fitoi me zotime se s’do të dialogojë me Serbinë dhe se do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet” u shpreh Mustafa për Front Online.

Mustafa tha se problemi për ndryshimin e qëndrimeve të Kurtit nuk është tek ai por të “analfabetët” politik që i kanë besuar.

“Problemi nuk është te Kurti, por te ‘analfabetët’ politik që verbërisht i kanë besuar. Albini në pushtet detyrohet ta pranojë realitetin. Ta kuptojë se Kosova nuk është një ujëdhesë në Kubë ose një oazë në Korenë e Veriut por një vend Evropian ku fati i saj ekonomik, demokratik i sigurisë lidhet me të tjerët”, deklaroi ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, thotë se Kurti po detyrohet që ta kuptojë se sovraniteti i shtetit nuk është çështje vetëm e një shteti, por i tejkalon kufijtë e tij, duke u bërë çështje regjionale dhe globale.

“Edhe nëse dëshiron ta bunkerizosh Kosovën nuk të lejojnë ata që të kanë ndihmuar të bëhesh shtet. Prandaj shërbehet me metafora: dje e keqe sot e mirë, i futa duart në baltë, operon me periferinë dhe qendrën për të krijuar mjegull. Albin Kurti po detyrohet ta kuptojë se sovraniteti i shtetit nuk është çështje vetëm e një shteti por i tejkalon kufijtë e tij, duke u bërë çështje regjionale dhe globale. (Në qoftë se nuk ec kësaj rruge rrezikon jo vetëm Kosovën por edhe të tjerët, siç rrezikonte në vitin 2015 të pamundësojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke i shërbyer opsionit Serb dhe rus, me vetëdije apo pa te)”, tha Mustafa për Front Online.

Gjatë kohës sa ishte ne opozit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet që janë arritur ndemjet Kosovës dhe Serbisë, madje ai ka premtuar se kur të vjen në pushtet do t’i rishikon të gjitha marrëveshjet, por deri më tani një gjë e tillë nuk është bërë, ai madje e ka përkrahur edhe marrëveshjen për energjinë të cilën e ka kundërshtuar.