Lajme

Ismaili: Prishtina është jeta jem, shpia jem ku e kam bo familjen

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:34 / 15 September 2025

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka deklaruar se për të politika është një angazhim fisnik, ku sinqeriteti mbetet parim themelor.

Në rrugëtimin e tij drejt zgjedhjeve të 12 tetorit, ku synon të marrë drejtimin e kryeqytetit, ai u shpreh se qytetarët tashmë janë të lodhur nga premtimet e pambajtura.

”Në Prishtinë jena lodh prej fjalëve, premtimeve. Duhet me ju tregu njerëzve edhe nëse s’mundesh. Prishtina është jeta jem, shpia jem. Ku e kam bo familjen, fëmija më shkojnë në të njëjtën shkollë ku kam shku unë në ‘’Ismail Qemail’’”, tha Ismaili, transmeton klankosova.tv.

Ai shtoi se potenciali i Prishtinës është shumë më i madh se gjendja aktuale, duke theksuar se qyteti është burim frymëzimi.

”Është shumë e lehtë kur e ke familjen me veti me vendosë me nejt. Potenciali i Prishtinës është shumë më i madh se kaq. Prishtina është vend që inspiron. Na po e din që ekziston, por njerëzit që po qeverisin nuk po na mirëkuptojnë. Unë kam qenë në punë në Ministri të Shëndetësisë, që kam pasë kundërshtarë politikë, që kanë udhëheqë klinika të caktuara. Dhe kur ata e shohin tek ty, se qëllimi yt është përmirësimi i jetës së njerëzve edhe ata kanë me ulë shtigjet”.

Duke folur për sinqeritetin si vlerë politike, ai potencoi se kur njerëzit shohin përkushtim të vërtetë, lihen mënjanë interesat partiake.

”Nëse ti je i sinqertë, i inspiron njerëzit, i harrojnë librezat partiake. Unë Prishtinën e kam qytet që jetoj këtu, pi kafe këtu, dal vet, shëtis vet, kam shoqëri në çdo lagje të Prishtinës. Unë prapë kam me dalë qitu se s’kam ku me shku dikund tjetër. Politika për mua është angazhim fisnik”.

Në fund, Ismaili theksoi se qytetarët nuk duhet të bien pre e cinizmit, pasi sipas tij, Prishtina ka njerëz të jashtëzakonshëm.

”Ne mund të bëhemi komplet cinik, por është jashtëzakonisht gabim. Ky qytet ka njerëz të jashtëzakonshëm. Na e dojmë Prishtinën me krejt zemrën tonë”.