Lajme

Jashari thotë se ndryshe nga Kurti, kryeministrat tjerë ndiheshin keq kur ua përmendnin grevën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:27 / 23 May 2022

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka akuzuar përsëri kryeministrin Albin Kurti, se po i ikën dialogut me sindikatën e arsimit por dhe të tjerat, për të dëgjuar dhe përmbushur kërkesat e tyre.

Në Monokël të Klan Kosovës, Jashari, po thotë se me të gjitha qeveritë paraprake që nga viti 2014, kishte përplasje, por, me qeverinë Kurti II,  ‘telat nuk i puqen dot’.

”Nga koha që jam kryetar, nga viti 2014, kishim përplasje me të gjitha qeveritë. Me këtë kemi përplasje ngase, kryeministrat dhe qeveritë që ata i krijonin, ndiheshin keq kur ne përmendnim greva”.

”Kishim takime të vazhdueshme, kur kryeministri nuk kishte kohë, dhe ne e kuptonim sepse ishte kryeministër i një shteti, ne takoheshim me ministritë gjegjëse, diskutonim. E edhe në grevë, bie fjala në grevë trejavore. Grevë kishte, por vazhdimisht kishte edhe dialog. E keqja që na ka habitur dhe ne nuk e kemi pritur, është se në qeverinë Kurti II, ka munguar totalisht dialogu”.

”Ne mund t’i përmendim brenda vitit, takimet shumë të rralla. Kryetari i BSPK-së, Hykolli, ka pasur së fundit një takim me kryeministrin para dy javësh dhe jemi gëzuar që ndodhi takimi. Ne kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe vetëm me 30 nëntor, një takim me ministrin Sveçla. Me ministren Nagavci, kemi takime, por me të ne bisedojmë për çështjet në arsim, sepse ajo as nuk ka kompetenca e as mundësi buxhetore t’i plotësojë kërkesat tonat”.

Ai pohon se pas 20 majit, do ketë një përgjigjie definitive se si do të reagojnë karshi vendimeve të qeverisë në krye me Albin Kurtin, meqë siç thotë ai, edhe po të kishte dialog kundërshtues, do të kishte rezultat, transmeton klankosova.tv.

”Po të kishim dialog, qoftë i mirë, qoftë i keq, qoftë edhe kundërshtues, për momentin ne do ta kishim zyrtarisht informatën dhe do t’ia thonim anëtarësisë. Po mundohemi t’i hapim hapësirë edhe qeverisë, jo pse është qeveria Kurti tash, por ngase vitin shkollor në Republikën e Kosovës e kemi humbur me një muaj vonesë, dhe çdo goditje e re, çdo humbje e re do të ndikonte keq tek nxënësit”.

Madje ai pati troç edhe një mesazh për ekzekutivin qeveritar, drejtuesi i të cilit aktualisht gjendet në Zvicër.

”Nëse qeveria Kurti prapë ndihet komode dhe bëhet sikur s’po ndodhë gjë, dhe prapë i mban dyert e mbyllura, e me ne janë edhe sindikatat tjera, e pas 20 majit, nuk e di se cilën përgjigjie do t’ua jap mediave të nderuara. Sepse kam frikë se anëtarësia do të insistojë”.

”Ne po bëjmë çmos që të mos vijë deri tek greva e përgjithshme. Sepse dëmtohen ata që nuk e kanë asnjë faj, e këta janë nxënësit tanë, fëmijët e Kosovës. I vetmi fajtor për këtë është Qeveria Kurti, që i ikë dialogut”.

”Kurti duhet të dijë se në Kosovë ka sindikata, dhe se ato sindikata përfaqësojnë të punësuarit në sektorët gjegjëse. Fajtor i vetëm është qeveria. Pse nuk ulet me ne? Ta bëjmë një zgjidhje, edhe për 100 eurot shtesë. Sepse unë po e them edhe e kam thënë gjithmonë: Qeveria e Kosovës po t’ia donte të mirën e arsimit dhe sektorëve të tjerë, do ta bënte ligjin e pagave me sindikata, sepse kur ka ligj të pagave, arsyet për grevë janë minimale”.