Profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot” ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete nga ato deklarata, zyrtarisht nuk ka asnjë marrëveshje.
“Nuk dihet fare se ka patur ndonjëherë marrëveshje për ndarje dhe shkëmbim të territoreve me shtetin serb. Zyrtarisht nuk ka ndonjë marrëveshje të deklaruar. Mendime ka të ndryshme. Janë qarkulluar në vitet 2019/20 marrëveshje të ndryshme nëpër mjete informative. Ato ishin sa kontradiktore, edhe të pakuptimta. Megjithatë, nuk kemi diçka të shkruar zyrtarisht në mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe pas deklarimeve të Thaçi nuk ka asgjë, edhe pse zgjidhja është te shkëmbimi i territorit me shtetin serb.
“Në vitin 2020 e kemi deklaratën e z Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Z. Thaçi nuk e pranonte as dhënien e Leposaviçit me rrethin e Serbisë për Luginën e Preshevës. Pra, nuk kemi diçka të shkruar. Megjithatë, zgjidhja është te shkëmbimi i territorit me shtetin serb”, thekson profesori.
Në fund, Kelmendi shton për Kosovën se janë të veçanta Liqeni i Ujmanit, miniera e Trepçës sepse kanë një rol historik në ndërtimin e Republikës.
“Për Kosovën ka domethënie të madhe liqeni i Ujmanit, që është ndërtuar me mjete të Kosovës, në vitet 1970/80. Tërë të punësuarit në atë kohë kanë paguar përqindje për ndërtimin e liqenit. Po kështu, nuk mund të kuptohet Kosova pa një Mitrovicë unike, e cila historikisht ishte djepi i lëvizjeve kombëtare shqiptare. Ndërsa, jeta në Kosovë, pa Kombinatin e Trepçës, si minierë historike e Kosovës, nuk mund të zhvillohet. Trepça ka rol historik me ndërtimin e Republikës. Këto janë vende dhe objekte të rëndësisë së veçantë kombëtare dhe shtetërore. Pjesa tjetër, përkatësisht Leposaviçi me fshatrat serbe, mund dhe duhet të shkëmbehet me Luginën e Preshevës. Kjo është një zgjidhje historike. Gjeneratat do të analizojnë”, përfundon Muhamet Kelmendi.
Lajme
Kelmendi: Kosova pa Mitrovicë, Trepçë dhe Ujman nuk mund të jetojë
3:16 / 23 December 2022