Lajme

Këto janë pagat marramendëse të drejtuesve të Trustit-t

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:06 / 10 June 2022

Zyrtarët kryesorë që menaxhojnë kursimet e qytetarëve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, llogariten ndër zyrtarët më të paguar në vend. Pagat e tyre në disa raste shkojnë edhe në rreth 4 mijë euro.

Qytetarët e Kosovës të lodhur nga varfëria e çmimet e larta po kërkojnë që t’u mundësohet tërheqja e parave nga TRUSTI. Më 16 qershor, Kuvendi i Kosovës pritet të marrë vendim nëse kjo tërheqje do të lejohet. Drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli, ka marrë gjithsej pagë mujore dhe mëditje prej 4 mijë e 29 euro, kurse të hyrat vjetore të tij arrijnë shumën prej 48 mijë e 349 eurove.

Pas Zallit, vjen menjëherë edhe zëvendësi i tij, Agron Krasniqi, i cili nga Trusti mbledh 34 mijë e 525 euro në vit, derisa paga e tij mujore arrin në 2 mijë e 878 euro.

Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor për Financa dhe TI merr pagë vjetore nga TRUSTI në total 38 mijë e 146 euro. Ai e ka deklaruar edhe të hyra tjera vjetore nga ky fond në vlerë 9 mijë e 537 euro. Bordi i Trustit përbëhet prej kryetarit dhe 5 anëtarëve të tjerë. Secili prej tyre, po ashtu, merr pagë të majme nga ky institucion,raporton demokracia.com Kryetari i Bordit të TRUSTI-t, Ruzhdi Morina, në deklarimin e pasurisë për vitin 2020 ka deklaruar të hyra vjetore shumën prej 15 mijë e 42 euro, por me nënvizimin si kompensime vjetore dhe mëditje nga ana e Trustit. Përveç kësaj page në Trust, ai merr gjithashtu edhe 9 mijë e 536 euro nga ndërmarrja publike “Infrakos sh.a”, në cilësinë e udhëheqësit të Zyrës Ligjore.

Ymer Ymeri, anëtar i Bordit në Trust, përfiton gjithsej nga 1 mijë e 33 euro në muaj. Por, kjo nuk është puna e vetme e tij nëpër institucionet e Kosovës. Ai gjithashtu merr pagë prej 1000 eurove nga SBASHKU, si Menaxher për Financa e Administratë, si dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me dy pozita, me rreth 225 euro në muaj.

Frederik Artesani merr pagë vjetore nga TRUSTI gjithsej 15 mijë e 615 euro. Ai, po ashtu, merr nga Independent Financial Advisor Company në Madrid 63 mijë e 235 euro pagë vjetore. Kurse, anëtari tjetër i Bordit të TRUSTI-t, Driton Qehaja, merr pagë vjetore 13 mijë e 980 euro. Ai gjithashtu merr pagë nga Fakulteti Ekonomik edhe 18 mijë e 668 euro. Pagë, po ashtu, merr edhe nga UNDP në vlerë vjetore 20 mijë euro.

Ndërkaq, anëtari i fundit i Bordit, Behxhet Haliti, ka të deklaruara 14 mijë e 928 euro në vit si të hyra nga Trusti, si dhe 7 mijë e 753 euro të tjera që merr nga Ministria e Financave, për dy funksionet e tij si analist i lartë në MF dhe si Ushtrues Detyre i pozitës Drejtor Departamenti Pol.Marketing, po ashtu, në MF.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e institucioneve të pavarura në vend kanë pozita tjera edhe nëpër institucionet tjera shtetërore.