Lajme

“Kingu Rama po flet me gjuhën e Vuçiqit për Ballkanin”- Tali jep alarmin pas deklaratave për dialogun

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:42 / 26 September 2025

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar së fundmi se Kosova nuk duhet të fokusohet në atë se çfarë mendon Serbia, por duhet të përqendrohet në përmbushjen e kërkesave që vijnë nga Bashkimi Evropian për dialogun dhe procesin e integrimit.

Analisti Driton Tali në bazë të deklaratës së Ramës, kthehet në retorspektivë duke thënë se kishte grupe të caktuara intelektualësh të Tiranës si “kingat e Tironës”, pinjollë të Bllokut që jetuan me privilegje, por të izoluar nga bota.

Ky izolim, sipas tij, u la pasoja në personalitet dhe krijoi një elitë hibride enveriste, me komplekse inferioriteti ndaj ish-qyteteve jugosllave dhe komplekse superioriteti ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.

Tali thotë se kjo elitë as nuk ka përjetuar rrymat muzikore e kulturore të viteve ’80, duke u fokusuar më shumë në folklor, turbo-folk e idhuj ballkanikë.

“Është një grup i “kingave të Tironës”, shumica e të cilëve janë pinjollë të “Bllokut”, të cilët ndonëse i gëzonin privelegjet e sistemit por megjithatë u krijuan në izolim. Pra nuk vuanin nga gjërat elementare, siç vuanin të tjerët, por megjithatë ishin të izoluar – një elitë e mbyllur.

Dhe ky izolim ju la pasoja në personalitetin e tyre e cila shihet edhe në ditët e sotme.

Pra nuk ishin pjesë e disidencës nacionliste patriotike e cila ai çdo kund ishte (është) gati për sakrifica por një elitë hibride enveriste, të cilin e përshkruan më së miri idioma “vëllezërit kinezë dhe fqinjët kosovarë”.

Ky grup ka kompleks inferioriteti ndaj “vizllimës” së Beogradit, Zagrebit, Lubjanës…, pra të asaj vizllime që derisa ekzistoi RSFJ e përfaqësonte atë shtet.

Ky inferioritet shihet si në muzikë, film, sport dhe pothuajse në të gjita sferat tjera të jetës.

Ngase e përmenda muzikën, jo vetëm “turbo folkun e Cecës” por edhe rokun. Bie fjala ata vitet 1980’ta fare si kanë përjetuar (as ato të mëparshmet). Pra “New Wave” (për mos t’u futur tashti në “post punkun” apo “romantikët e rinj” etj) fare nuk e kanë përjetuar, dhe sot e kësaj dite nuk e kanë idenë me atë rrymë. Meqë ra fjala, më kujtohet kur bendi “Deep Purple” erdhi në Tiranë për të dhënë koncert me 2007 dhe reagimet e këtyre “kingave të Tironës”. Apo, ekstaza e tyre një viti përpara, në koncertin e “Grigor” Bregoviçit me trubaqët e tij.

Gjersa në relacion me shqiptarët kosovarë (se ata të maqedonisë edhe ma të papërfillshëm janë) e kanë kompleksin e superioritetit të fituar sidomos nga disdentët të cilët e idealizonin Shqipërinë, e në atë hesap edhe Enverin.

Edhe ky kompleks i superioritetit ndaj shqiptarëve jashta kufijëve londinez është vivid në të gjitha fushat”, thotë ai.

Tutje, Tali thotë se liderët shqiptarë ndër vite – nga Nano, Berisha e deri te Rama – kanë pasur qasje patronizuese ndaj politikanëve kosovarë.

Sipas tij, edhe sot Rama vepron në këtë mënyrë, qoftë me idenë e “Open Balkan”, deklaratat pro-Serbisë apo gjestet publike që shpesh shihen si të pavend.

Ai e lidh këtë sjellje me një “gjeneratë maringleniste” të mbetur nga koha e Enverit, që mban superioritet ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe inferioritet ndaj të huajve.

“Ta marrim si shembull politikën, që nga marrëdhënia patronizuese që pati Nano ndaj jo vetëm Rugovës por tërë “Alternativës” kosovare. Pastaj sjellja patronizuese e Berishës ndaj Rugovës, për të vazhduar edhe me Thaçin.

Qasje patronizuese të ngjashme pati/ka edhe Edvin Kristaq Rama, qoftë ndaj Thaçit apo Haradinajt ose tashti ndaj Kurtit. Sa për freskim të memories, ta ceki se me Haradinajn përpak sa nuk patën kërsit grushtat mes tyre në Bruksel.

Prandaj, unë këto sjelle të “kingut Rama” i shoh nga kjo përpsektivë. Që nga iniciativa e Vuçiçit për “Otvoreni Balkan”, apo ato deklaratat e tij se “Perëndimi po e destabilizon Ballkanin Perëndimor e jo Serbia” ose se “Duhet kuptuar Serbinë në realicion me Rusinë” etj etj.

Unë, ç’është e vërteta, edhe “atletet-patikat e bardha” me kostume apo “përkuljen bizare” që e bëri ndaj Melonit etj, i shoh në atë dioptri.

Prandaj, derisa nuk ndërrohet “gjenerata maringleniste” e klonuar e Xhaxhit të cilët tentojnë të “rokerizohen në pleqni”, do të ballafaqohemi me këso situata bizare, ku ndaj shqiptarëve jashtë “Shqipërisë Londineze” do të ndien superiorë, dhe do të sillen me patronizime gjersa ndaj jo shqiptarëve me inferioritet” – përfundon ai.