Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin politik në lidhje me një bashkëqeverisje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri tha se LDK ka mbajtur një qëndrim të qartë që nga 9 shkurti: të garojë për fitore në zgjedhje dhe, në rast të kundërt, të qëndrojë në opozitë.
“LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Që nga 9 shkurti, e kemi bërë të qartë se hyjmë në garë për të fituar dhe, nëse nuk fitojmë, qëndrojmë në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit, pas ofertave për bashkëpunim institucional nga VV-ja, ne e kemi konfirmuar qëndrimin tonë”, tha Haziri.
Ai shtoi se LDK ka treguar korrektësi institucionale gjatë proceseve parlamentare, duke përfshirë votimet për nënkryetarët dhe kryesinë e Kuvendit, megjithatë nuk ka pasur mundësi të ndikojë në zhbllokimin e krizës politike.
“Ne kemi demonstruar lojalitet institucional në votimet për nënkryetarët dhe kryetarin e Kuvendit, por nuk kemi arritur të zhbllokojmë krizën politike, megjithatë e kemi paralajmëruar këtë,” tha Haziri.