Lajme

Kongresisti amerikan Keith Self shpreh mbështetje për Presidenten e Kosovës

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:23 / 13 February 2026

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self.

“Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kongresisti Self në letrën mbështetëse.

Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar.

Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj.

Vjosa Osmani është në javët e fundit të detyrës si presidente e Republikës së Kosovës dhe kërkon dhe një mandat të dytë nga klasa politike atje.

Ajo mbetet në dorën e Albin Kurtit, pasi ai ka votat për rizgjedhjen apo jo të saj.

Deri më tani, Kurti nuk ka folur.