Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka një draft për Asociacionin, megjithatë, ka folur rreth deklaratës që “palët kanë obligime t’i zbatojnë marrëveshjet”.
Konjufca në një intervistë për “Debat Plus”, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka zhbërë Asociacionin një-etnik përmes 23 pikave.
“Nuk ka një draft të Asociacionit. Është një fjali, që për marrëveshjet, palët kanë obligime. Kosova, qysh është interesi i Kosovës, unë mendoj që ajo që është kushtetuese dhe ligjore, është interesi i vërtetë. E vërteta, plotësisht në përputhje dhe na konvenon, është që Vuçiqi, që Gjykata Kushtetuese e jep verdiktin, për Serbinë, ajo atje. Kushtetuesja jonë e ka zhbërë bërthamën e Asociacionit. Kur na thonë keni obligime, e kuptojmë se keni obligime jashtë këtyre 23-ve që ka vendosë Gjykata Kushtetuese, ju me gjet një version tash. Qishtu e kuptoj unë Kosova ka obligime.” – tha ai.
Konjufca mes tjerash, ka thënë se dy prej pikave të dalura nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, thonë se nuk duhet të bashkohen komuna të karakterit etnik.
“23 pika, të Gjykatës Kushtetuese janë të rëndësishme, por mendojqë dy janë bazike, mos me u kriju regjistër mes Komunës dhe Qeverisë, e dyta, mos me u bashku komuna të karakterit etnik. Nuk ka me u bashku ashtu, bashkim të komunave serbe, nuk e lejon Kushtetuta. Edhe me dashtë pushteti, sot krejt le të themi, krejtësisht po i nënshtrohet Serbisë, nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës, lëje që po populli e vullneti i popullit.” – tha ai tutje.
Në fund, ai përmendi sërish deklaratën “keni obligim ndaj Asociacionit”, duke thënë se “tash do të ulemi e të mendojmë”.
“Kjo nuk do të ndodhë. E tash, ju e keni obligim ndaj Asociacionit, por tash do të ulemi dhe do të mendojmë.” – shtoi kryeparlamentari.
Konjufca në këtë intervistë, ka folur edhe rreth planit franko-gjerman, duke shtuar që “dy shtetet ia njohin pavarësinë njëra-tjetrës”, por se Serbia nuk i dërgon notë verbale Kosovës.
“Jo, jo, faktikisht Serbia më e nënshkru sovranitetin e Kosovës, atë quajeni si të doni, ajo njohja eksplicite është, por nuk ka njohje me notë verbale, mungon në atë dokument. Serbia nuk i dërgon Kosovës notë verbale që po e njeh, por së bashku me Evropën, e nënshkruajnë një marrëveshje, që Kosova me Serbinë ia njohin sovranitetin, pavarësinë, edhe pavarësinë thuhet dhe të drejtën për vetëvendosje, dhe shtetet funksionojnë mbi të drejta të barabarta.” – tha ai.