Opozitarizimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk po pëlqehet shumë. Qasja e deritashme e këtyre partive parlamentare ndaj Qeverisë është kritikuar nga njohës të rrethanave politike dhe nga vet zyrtarët e këtyre subjekteve politike.
Sipas tyre, me qasjen aktuale, opozita nuk po mund të ndikojë në ndryshimin e agjendës se Qeverisë.
Ata kanë thënë se unifikimi i qëndrimeve përballë qeverisë do ta fuqizonte opozitën brenda Kuvendit të Kosovës.
Më e ashpër ndaj partive të opozitës ka qenë ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli. Në një intervistë për gazën Nacionale, ajo ka thënë se Kosova nuk ka fare opozitë.
Sipas saj, partitë opozitare janë variante të frymës së Albin Kurtit.
“Pyetja duhet të shtrohet: a ka opozitë Kosova? Kosova nuk ka opozitë. Parti ka, por opozitë nuk ka. Ato janë variante të frymës së Albin Kurtit. Sidomos LDK-ja, është tërësisht një variant i frymës së Albin Kurtit”– ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Adbixhiku, nuk janë liderë.
“Opozita nuk është në nivelin e përgjegjësive që i ka dhe përgjegjësive që janë parashtruar para neve. Sepse ne duhet te merren me do vendime pak më të mëdha se zakonisht. Nuk është çështje e vogël një marrëveshje finale me Serbinë dhe sjellja jonë krejt fodullëk karshi kësaj çështjeje, edhe e Qeverisë dhe e partive të tjera, që quhen opozitare”– ka thënë ajo.
I pakënaqur me rolin e opozitës është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale asnjëra prej tri partive opozitare nuk është në nivelin e duhur.