Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj ka reaguar pas arrestimit të dy personave nën dyshimin se i kanë shërbyer BIA-s serbe.
Nëpërmjet një postimi në Facebook të cilin e ka shkruar të enjten, Salihaj ka rikujutuar se ish-kryeministri serb Ivica Daçiq pati deklaruar se në Kosovë punojnë 10 mijë shqiptarë për Serbinë duke përfshirë këtu Bashkësinë Islame, shumë portale e televizione, OJQ e pjesëtarë të pakicave.
“U tund mali-polli një mi
Agjencia e Inteligjencës e Kosovës paska zbuluar dy spiuj serbë, të cilët u arrestuan dje, me akuza se kanë punuar për BIA-n e Serbisë. Vetëm t’ia përkujtojmë AKI-së, policisë së Kosovës, prokurorisë dhe gjykatave se ish-kryeministri serb Ivica Daçiq, i prirë për të llomotitur dhe për të treguar fshehtësitë shtetërore, pat deklaruar se në Kosovë punojnë 10 mijë shqiptarë për Serbinë, duke përfshirë këtu Bashkësinë Islame, shumë portale e televizione, OJQ e pjesëtarë të pakicave. Në fakt, Kosova vlon si kazan nga spiujtë e Serbisë, kjo është shumë e dukshme. Jam i bindur se përveç në ato që përmenda, ata janë të infiltruar në shumë segmente tjera të shtetit, duke përfshirë edhe AKI-në”, shpreh Salihaj.
Po ashtu, Salihaj përmendi ish-presidentin Hashim Thaçin duke thënë se i njëjti ishte vet bashkëpunëtor i Serbisë dhe po ashtu mbante brenda zyrës së tij një agjent serb të BIA-së së Serbisë.
“Vetë Hashim Thaçi, si president i Kosovës, duke qenë vetë bashkëpunëtor i Serbisë, mbante këmbëkryq në zyrën e tij një agjent serb të BIA-së së Serbisë. Pra, agjentura serbe ka depërtuar thellë në instancat më të larta të institucioneve të Kosovës. Sa u përket portaleve dhe televizioneve, ato, në emisionet e quajtura të debatit sulmojnë çdo person me vlerë në Kosovë, sulmojnë secilin veprim të qeverisë, i cili çon në shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës dhe çdo hap të qeverisë që i kundërvihet veprimeve të Serbisë”, ka nënvizuar ai.
Sipas Adem Salihajt, Serbia ka depërtuar në Kosovë më së shumti përmes oligarkëve ekonomikë, të cilët financohen nga buxheti i Serbisë, krijojnë korporata të fuqishme, blejnë televizione, hapin portale, krijojnë dhe financojnë OJQ, korruptojnë dhe blejnë zyrtarët e lartë të shtetit.
“Oligarkët e tillë paraqesin rrezikun më të madh për sigurinë e shtetit. Prandaj, arrestimi i dy personave nën dyshimin se janë spiuj të BIA-s së Serbisë, ka kuptim vetëm nëse pasohet nga shumë arrestime tjera të spiujve që janë të infiltruar në të gjitha segmentet e shtetit dhe shoqërisë në Kosovë. Përndryshe, nëse mbetet si veprim i izoluar, nuk ka ndonjë vlerë. Kjo do të ishte, siç thotë populli”, U tund mali-polli një mi””, përfundoi ai.