Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka hedhur kritika ndaj pushtetit të kryeministrit Albin Kurti.
Teksa ka folur për një fotografi ku shefi i qeverisë shihet në aeroplan duke treguar thjeshtësinë e tij, Krasniqi ironizoi duke thënë se “ia ka kursyer shtetit 200 euro për një biletë më të lirë”.
Ai shtoi se “nuk ka lidhje që ka shku në Amerikë dhe nuk e ka pritur askush me rëndësi”.
“E keni parë që aktivistët e LVV-së duke shpërndarë një fotografi të Albin Kurtit ku duket që është duke udhëtuar me një aeroplan të lirë, biletë të lirë, Easy Jet. Po dojnë me thonë ky e kursen buxhetin e shtetit, këqyre farë kryeministri i mirë koka. Merreni me mend, ia ka kursy shtetit 200 euro, ndërkohë s’paska lidhje që ka shku në Amerikë ka nejt 3 javë, s’e ka prit kurrkush me rëndësi, s’ka mujt me kalu pragun e Departamentit të Shtetit”.
Madje, ish-deputeti vlerëson se Kurti e ka bllokuar krejt situatën politikë në Kosovë.
“S’paska lidhje që e paska blloku kejt situatën politike në Kosovë. Nuk ka asnjë plan qysh me zgjidhë problemin me Serbinë, është duke e kthyer krejt faktorin ndërkombëtar kundër Kosovës. Me rendësi ia ka shpëtu 200 euro Kosovës me një biletë më të lirë të aeroplanit. Këtu qëndron problemi dhe hipokrizia i të ashtuquajturës luftën kundër korrupsionit. Këta e kanë përshkru situatën se nëse e kursen pak paret e shtetit dhe gjithçka bëhet mirë në Kosovë”.
Krasniqi u shpreh se kreu i ekzekutivit nuk është duke bërë asgjë për ta ndryshuar mirëqenien e qytetarëve të vendit.
“Pra, s’ka rëndësi që asnjë send s’o tu e bo Albin Kurti për me rrit cilësinë në arsim, me përmirësu situatën e shëndetësisë. S’ka rëndësi që s’o tu e bo asnjë send për me i përmirësu kushtet e sektorit privat e publik e për me rritë mirëqenien e barazinë. Me rëndësi koka tu qeverisë pastër e pa korrupsion. As këtë s’o tu e bo. Jeni tu e pa që çdo ditë e më shumë po iu dalin aferat korruptive në tana anët”.
“Ky veç për 1 vit ia dha ni kompania private mbi 100 milionë euro në mënyrë ligjore, por këtu mundeni me e vërejt ku është mashtrimi i madh që e kanë bo me të ashtuquajturën luftën kundër korrupsionit dhe me demek me qeverisje të pastër që paska me naj zgjidhë krejt problemet”, përfundoi ai, në një video që e ka publikuar në Facebook.