Lajme

Krasniqi për intervistën e Thaçit: Ai foli si një njeri që ende e mbron me shpirt sakrificën për liri

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:41 / 24 July 2025

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas intervistës së ish-presidentit Hashim Thaçi, e dhënë nga Haga për emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Krasniqi tha se Thaçi foli jo vetëm si ish-president apo si dikush që ka kaluar gati pesë vite në qeli, por si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri.

“Jo si ish-President. As si një burrë që ka kaluar gati pesë vite në qeli. Por si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri”, ka shkruar Krasniqi.

Ai e përshkroi Thaçin si të mprehtë, të kthjellët dhe të interesuar për të ardhmen e vendit, duke theksuar se ai nuk u ankua dhe nuk kërkoi mëshirë.

“Hashim Thaçi nuk do t’ia ndërronte rrugën jetës, edhe sikur ta dinte çmimin paraprakisht. E këtë nuk e thotë për vete, por për ne, për gjeneratat që duhet të ecin përpara pa harruar sakrificën”, shtoi ai.

Krasniqi përkujtoi edhe humbjen e babait të Thaçit gjatë kohës sa ai gjendet në paraburgim, duke theksuar se “sytë e Presidentit Thaçi janë ende të hapur për Kosovën dhe për drejtësinë”.

Ai e ka cilësuar intervistën si një thirrje për qëndresë dhe ecje përpara.

“Kjo intervistë, më shumë se rrëfim, ishte një thirrje: të qëndrojmë, të ecim drejt, e të mos dorëzohemi asnjëherë. Të presim me padurim në Kosovë, President!”, shkroi Krasniqi.