Kreu i LDK-së kërkon rinumërim të plotë në gjithë vendin dhe ndëshkim penal për ata që kanë cenuar vullnetin e qytetarëve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas dyshimeve për manipulim të votës, pasi gjatë procesit të rinumërimit janë evidentuar dallime të mëdha në numrin e votave në disa komuna.
Abdixhiku ka dalë publikisht në mbrojtje të kandidatit për deputet Paris Guri, duke theksuar se ai është ndër figurat më të dëmtuara nga ky proces. Sipas tij, përveç Gurit, nga manipulimi janë prekur edhe Festim Kabashi dhe Gëzim Hazrolli, të cilët i cilëson si prurje të reja dhe pjesë të reformës brenda LDK-së.
“Parisit, dhe jo vetëm atij, por edhe politikanëve të tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se goditja ndaj të rinjve në politikë nuk është vetëm goditje personale, por sulm i drejtpërdrejtë ndaj idesë së reformës dhe të ardhmes politike të vendit.
“Mbi të gjitha, goditet reforma”, theksoi ai.
Sipas kreut të LDK-së, ajo që po ndodh në disa qytete nuk është rastësi, por një përpjekje e strukturave të vjetra brenda partisë për ta ndalur reformën.
Abdixhiku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në gjithë vendin, duke kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të hapë çdo kuti për të larguar çdo dyshim.
Ai gjithashtu kërkoi veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë.
“Përgjegjësi sipas ligjit, burg për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra, njihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigje pa hezitim”, u shpreh ai.
Abdixhiku paralajmëroi edhe pasoja politike brenda LDK-së pas mbajtjes së Kuvendit të partisë, duke theksuar se do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë dëmtuar procesin zgjedhor.
Në fund, ai theksoi se ndonëse LDK-ja ka më së paku parregullsi krahasuar me partitë e tjera, kjo sipas tij e rrit edhe më shumë përgjegjësinë për të mbrojtur votën dhe besimin e qytetarëve.