Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, tha se vendi po përballet me një nga krizat më të rënda politike, për të cilën fajësoi opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, partitë opozitare, në pjesën e parë të bllokadës, refuzuan ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërsa tani, në pjesën e dytë, po refuzojnë ta votojnë një nënkryetar nga pakicat serbe që nuk i përket Listës Serbe.
“Nuk mbajmë mend të ketë pasur një situatë politike si kjo. Me siguri, tani për tani jemi shumë afër që këtë vit ta shikojmë nga retrospektiva historike. Mendja na thotë se po bëhet përpjekja më e rrezikshme për të mos e njohur rezultatin zgjedhor, me apo ndoshta edhe pa vetëdije, nga partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të VV-së. Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, ato janë përpjekur të thonë vetëm një gjë: se vetëm një votë më pak se 50% mjafton që shteti të mbetet pa Kuvend.
Çështja e themelimit të Kuvendit është një akt që buron nga vullneti i popullit si rezultat i zgjedhjeve. Të jesh kundër themelimit të Kuvendit do të thotë të jesh kundër vetvetes”, deklaroi Konjufca.
“Kriza institucionale zgjati sepse, në pjesën e parë, partitë opozitare nuk donin që VV-ja ta ketë kryetare Albulena Haxhiun; ndërsa në pjesën e dytë po zgjat, sepse ato mendojnë se nuk ka republikë e as Kuvend nëse nuk zgjidhet një nënkryetar nga Lista Serbe. Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës, qasja e saj ishte më shumë politike sesa kushtetuese”, përfundoi ai.