Në prag të zgjedhjeve të vitit 2025, shqiptarët janë dëshmitarë të një kontrasti tronditës mes dy mënyrave të të bërit politikë: nga njëra anë, një lider opozitar me një plan të qartë për ndryshim, dhe nga ana tjetër, një kryeministër që ka shndërruar fushatën në një spektakël fyerjesh dhe talljesh të ulëta.
Sali Berisha, në çdo qytet që viziton, u paraqet qytetarëve një program të qartë, të matshëm dhe të ndërtuar mbi nevojat reale të shqiptarëve.
Ai premton:
• Zhdukjen e varfërisë ekstreme në 100 ditët e para të qeverisjes,
• Pensione, ndihma ekonomike dhe bursa studenti jo më pak se 200 euro,
• Rrogë minimale jo më pak se 500 euro,
• Uljen e çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për familjarët dhe 6 lekë për bizneset,
• Përgjysmimin e tarifave të ujit,
• Lehtësira për biznesin dhe eliminimin e gjobave e shantazheve.
Një ofertë konkrete dhe serioze, që flet për një qeveri që do të punojë për qytetarët, jo kundër tyre.
Por, në vend që të paraqesë një program rival ose të mbrojë bilancin e tij, Edi Rama ka zgjedhur rrugën më të ulët të mundshme: atë të përçmimit publik.
Në vend që të flasë për ekonominë, për çmimet që rriten çdo ditë, për shpopullimin apo për krizën në sistemin shëndetësor e arsimor, Rama është angazhuar në një fushatë personale sharjesh dhe sulmesh të papranueshme.
Nga podiumet e tij, ai i ka quajtur burrat shqiptarë “çyrykë” dhe “të paaftë”, ka tallur njerëzit me gjendje të vështira, dhe ka përdorur edhe autizmin si armë për sulme politike – një gjuhë që s’mund të tolerohet në një shoqëri demokratike.
Kryeministri në ikje nuk ka as ofertë, as plan, as përgjegjësi. Ka vetëm arrogancë dhe fyerje. Dhe kjo ka një arsye të qartë: nuk ka ç’t’u thotë shqiptarëve pas 12 vitesh dështim.
Në kontrast të plotë me këtë qasje përçmuese, opozita e udhëhequr nga Berisha u ofron qytetarëve jo vetëm alternativa, por dinjitet.
Shqiptarët do të vendosin së shpejti: do të vazhdojnë të përçmohen nga një pushtet arrogant, apo do të votojnë për një qeveri që i respekton, i dëgjon dhe i ndihmon?