Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se iftarin e së mërkurës e ka kaluar me familjet e heronjve të vendit, Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se në këtë mbrëmje të iftarit u përkujtuan policët shembullorë që dhanë jetën e tyre për Republikën.
“Me zonjën Dritë Zymeri, djalin Sokolin dhe vajzat Luljetën e Rinesën, me zonjën Fexhrije Bunjaku dhe Lumnije Bunjaku dhe me djemtë Jetlumin e Fatlumin. Enveri do të festonte sonte ditëlindjen e 45-të. Atë dhe Afrimin i bën të përjetshëm vepra e tyre”, ka shkruar Kurti.
Mes mallit dhe krenarisë për ta, i kujtojmë e i nderojmë për çfarë dhanë për vendin dhe për atë që lanë pas, ka shtuar kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar se “jeta e tyre është frymëzim që të vazhdojmë të jetojmë e punojmë sipas parimeve të trashëgimisë së tyre – guxim, përkushtim dhe dashuri për atdheun”.
Në korrik të vitit 2011, Qeveria e Kosovës ka organizuar një aksion për marrjen e kontrollit të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – pjesa veriore e Kosovës – të cilat ishin djegur nga grupe serbësh qysh në vitin 2008, si kundërshtim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Qindra automjete të Policisë së Kosovës janë bllokuar nga serbët lokalë, që kanë barrikaduar rrugët drejt Bërnjakut dhe Jarinjës. Në këtë aksion është vrarë polici i Kosovës, Enver Zymberi, nga persona ende të paidentifikuar.
Ndërsa, Afrim Bunjaku, ishte vrarë nga grupe të armatosura serbe të cilat qëlluan policinë të dielën e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.