Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar se politika e tij udhëhiqet nga egoja personale e jo nga interesat e Kosovës.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Kryeziu tha se fjalët e Abdixhikut për Afrim Bunjakun janë të bukura, por të pamjaftueshme për t’u shndërruar në politikë konkrete.
“Shumë bukur, Lumir. Fjalë të mëdha për Afrim Bunjakun. Por fjalët nuk janë politikë. Çfarë bën me to? A do t’ia bësh qejfin Listës Serbe, apo do ta dorëzosh veriun? Se deri sot, kursi yt politik është vetëm ankesa dhe asnjë zgjidhje,” theksoi ai.
Duke e krahasuar me presidentin historik Ibrahim Rugova, Kryeziu kujtoi se ky i fundit kishte bërë sakrifica të mëdha për Kosovën, madje edhe duke ia lënë udhëheqjen Hashim Thaçit në Rambuje, për hir të interesit shtetëror.
“Ti nuk e do Kurtin – e kuptoj. Po pse nuk deshe as Bedri Hamzën? Pse nuk u reshtove në një formacion që do ta rrëzonte Kurtin dhe do ta çonte vendin përpara? Sepse problemi yt nuk është Kosova. Është egoja jote,” shtoi Kryeziu.
Ai përfundoi reagimin me një mesazh të qartë: “Pra, mos na fol për sakrificë. Ti nuk e sakrifikon veten për Kosovën. Ti e sakrifikon Kosovën për veten. Dhe kjo është dallimi yt me Rugovën. Keq. Shumë keq.”