Juristi Kadri Kryeziu thotë se për krijimin e Qeverisë, Kosova nuk duhet të kërkojë votat e Listës Serbe, pasi kjo e bën qeverinë jo sovrane.
Ai thekson se përfaqësimi kushtetues është i detyrueshëm, por bashkëqeverisja politike është zgjedhje dhe nuk duhet të ndikojë në lirinë e shtetit.
Postimi i plotë:
Nuk ka asnjë justifikim që sot dikush të mendojë për krijimin e një qeverie në bashkëpunim me Listën Serbe.
Përfaqësimi kushtetues i komuniteteve është detyrim ligjor, por bashkëqeverisja politike është zgjedhje – dhe nëse për krijimin e qeverisë duhen votat e Listës Serbe, ajo qeveri nuk është sovrane.
Në zgjedhjet e ardhshme, edhe nëse Lista Serbe merr 10 vende në Kuvend, ajo duhet të përfaqësohet vetëm aq sa e lejon Kushtetuta: një nënkryetar Kuvendi dhe një ministri.
Por marrëveshja bazë për krijimin e qeverisë duhet të ketë minimum 61 vota pa deputetët e Listës Serbe.
Ka dallim të madh mes përfaqësimit kushtetues dhe marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Mos u sillni sikur nuk e kuptoni.
Kosova nuk mund të jetë shtet i lirë nëse qeveritë e saj varen nga urdhra që vijnë nga Beogradi.