Kryeministri Albin Kurti ka thënë se e para që i përgjigjet sundimit të ligjit brenda territorit të Kosovës është Policia e Kosovës, më pas EULEX-i, e pas tij KFOR-i.
Kështu është shprehur ai në një intervistë dhënë medias boshnjake “Hayat.ba”, teksa u pyet për deklaratën e homologut shqiptar, Edi Rama, i cili tha se KFOR-i duhet ta marrë situatën në kontroll në komunat veriore të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Për sa i përket çështjeve të tjera, protokolli është vendosur tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Nuk besoj se ky protokoll duhet ndryshuar”, thuhet të ketë thënë Kurti në intervistën që do të publikohet të dielën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Në një konferencë për media të enjten, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.