Lajme

Kurti: Gjakova ka nevojë për një kryetar si Ardian Gola

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:53 / 10 October 2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Ardian Golën si kandidatin ideal për kryetar të Gjakovës.

Sipas Kurtit, Gjakova ka nevojë për një drejtues që jo vetëm e do qytetin, por e njeh thellësisht historinë e tij dhe posedon vizionin e duhur për të garantuar zhvillimin ekonomik dhe social.

Në një postim të fundit në Facebook, Kurti thekson investimet e mëdha që Qeveria ka bërë dhe po bën në këtë rajon: nga përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore, përmes ndërtimit të shkollave, ambulancave dhe laboratorëve digjitalë, deri te projektet për ujë të pijshëm dhe ngrohje me biomasë.

Ai përmend edhe një nga investimet më të mëdha – ndërtimin e stadiumit të qytetit me një buxhet prej 9 milionë eurosh, financuar nga qeveria.

Postimi i plotë:

Gjakova ka nevojë për një kryetar si Ardian Gola, që e do këtë qytet, e njeh historinë e tij të lavdishme dhe që ka vizionin e duhur për ta zhvilluar.

Në Gjakovë kemi investuar në shkolla, ambulanca, rrugë, projekte për ujë të pijshëm, ngrohje me biomasë, po e ndërtojmë stadiumin e qytetit me investim prej 9 milionë euro prej Qeverisë sonë, do ta lidhim Gjakovën me Shkodrën përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës, dhe do ta ndërtojmë fabrikën e municioneve.

Me Ardian Golën si kryetar zhvillimi ekonomik e kujdesi social do vijë edhe në nivel lokal. Në Gjakovë do të ketë laboratore digjitale dhe pajisje moderne në shëndetësi, kopshte të reja e biblioteka moderne për arsim, banesa për çiftet e reja, paketa Baby Box për të porsalindurit, shtesa për lehonat dhe shërbime geriatrike të specializuara për pensionistët.

Qytetarët do ta ndjejnë kujdesin e qeverisjes në jetën e përditshme, nga fëmijët deri tek të moshuarit, duke ndërtuar një komunitet të fortë, me kujdes dhe shërbime cilësore. Kjo arrihet e bëhet realitet vetëm me Ardian Golën, me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke votuar numrin 105 e kthyer Gjakovën kah e mbara.