Lajme

Kurti i pret në takim ish presidentët Sejdiu e Moisiu, ZKM: Iu gëzuan progresit ekonomik të Kosovës viteve të fundit

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:52 / 6 October 2024

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ishin sot në Qeveri për një takim me kryeministrin Albin Kurti, pas të cilit, siç thotë zyra e shefit të Ekzekutivit, dolën të gëzuar.

Sejdiu dhe Moisiu ishin mysafirë të Kurtit pasi të tre morën pjesë të shtunën në konferencën “Balkan Leadership Conference”, të organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë.

Zyra e Kryeministrit tha se në këtë takim u diskutua për “progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës” e “marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri”.

“Gjatë këtij takimi u diskutua rreth progresit ekonomik dhe demokratik të Kosovës, për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri lidhur me projektet e përbashkëta mes dy shteteve, në veçanti ato në fushën e ekonomisë, të cilat e fuqizojnë edhe më shumë lidhshmërinë mes republikave tona”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjithashtu, ZKM thotë se “u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe botë”.

“Z. Moisiu dhe z. Sejdiu i uruan Kryeministrit punë të mbarë dhe suksese të mëtutjeshme edhe duke iu gëzuar faktit të progresit ekonomik të Kosovës të arritur gjatë viteve të fundit”, thuhet në njoftim.