Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media ka kërkuar hetime për Exit Poll-et e publikuara për garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut.Ai ka ftuar organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje.“Ajo çfarë ndodhi më 12 tetor për raportimet për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit Poll-et e prezantuara me 16 pikë të përqindjes gabim- e më tepër se aq- nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbylluar vendvotimet, nuk janë thjeshtë një huqje, por kjo është cënim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe integritetit dhe sigurisë të shtetit tonë” – tha Kurti para gazetarëve, më 13.10.2025Kurti ka folur edhe për rezutatin e zgjedhjeve të partisë që ai udhëheq, me ç’rast Qemajl Aliu në Shtime, Shpejtim Bulliqi në Podujevë dhe Kadri Rahimaj në Kamenicë fituan pa balotazh.I pari i VV-së tha se ka gjasa që me votat e diasporës e ato me kusht edhe Alban Hyseni i Gjilanit të fitojë pa balotazh.“Pjesa e parë e garës përfundoi mbrëmë. Nga sot i përvishemi punës për balotazh. Synimi ynë është i qartë, që kandidatët tonë të fitojnë edhe në këto komuna dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë të cilën qytetarët e meritojnë dhe që komunat tona të ecin përpara me mirëqenie, drejtësi e barazi- e të jenë komuna që funksionojnë dhe të qeverisen me transparencë” – tha Kurti.Ai është shprehur i bindur se në të gjitha komunat ku partia që e udhëheq, kandidatët për kryetarë të LVV-së do të jenë fitues në balotazh.“Më 9 nëntor, besojmë fuqishëm se do të fitojmë me Hajrulla Çekun në Prishtinë, me Faton Pecin në Mitrovicë, me Artan Abrashin në Prizren, me Alban Hysnin në Gjilan, me Ardian Golën në Gjakovë, me Taulant Kelmendin në Pejë, me Jeton Rakën në Kaçanik, me Sylejman Mehollin në Vushtrri, me Valon Prebrezën në Fushë Kosovë, me Halil Thaçin në Kastriot, me Ali Dulën në Rahovec dhe me Arsim Ademin në Viti”- u shpreh Kurti para gazetarëve.
Lajme
Kurti kërkon hetime për Exit Poll-et për Mitrovicën e Jugut: Jo vetëm huqje por inxhiniering i paramenduar
11:54 / 13 October 2025