Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar institucionet e sigurisë për operacionet e fundit që kanë çuar në arrestimin e personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA).
“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me BIA-n, brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga AKI, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se këto raste dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, si dhe suksesin e institucioneve vendore në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe.
Kurti ka theksuar se njëri nga të dyshuarit, i identifikuar me inicialet A.V., tashmë ka pranuar fajësinë pas përballjes me dëshmitë.
Sipas tij, rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare; përpjekje për dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit të Kosovës.