Lajme

Kurti merr mbështetjen e SHBA për ruajtjen e kufirit me Serbinë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:44 / 30 September 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për telefonatën që ka pasur të premten me këshilltarin kryesor i presidentit amerikan, Jake Sullivan. Kurti thotë se e ka falënderuar atë për mbështetjen për sigurinë kufitare të Kosovës duke kërkuar rritje të mbështetjes kundër planeve të Serbisë për luftë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës thonë se e ka siguruar këshilltarin e Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se “përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundshëm”.

Telefonatën Kurti – Sullivan e konfirmoi edhe koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby. Ai tha se edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken kishte telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kirby kërkoi tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me aleatët e NATO-s për të reaguar ndaj përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën dhe minuar sigurinë. Ai konfirmoi se do të shtohet prania e NATO-s në pjesën veriore të Kosovës dhe përgjatë kufirit.

“Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konsultohen ngushtë me aleatët për të siguruar që pozicioni i forcave paqeruajtëse të jetë në përputhje me kërcënimin që paraqitet atje”, – tha ai.

Edhe ministria e Mbrojtjes e Britanisë njoftoi këtë të premte se ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë nëse kërkohet.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, – tha ministria britanike e Mbrojtjes në një deklaratë të saj. ©LAPSI.al