Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pohoi se arsyeja se pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën lidhet me mbylljen e strukturave serbe në veri të Kosovës.Mirëpo, ai ka deklaruar se “nuk ndihet fajtor” për veprimet e ndërmarra në këtë pjesë të shtetit, meqë konsideron se i “takon brezit të tij t’i merr këto vendime”.“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”- potencoi Kurti gjatë një bashkëbisedimi në ShBA, të cilin e kanë shpërndar anëtarë të LVV-së.Kurti theksoi se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci.Ndonëse në dy shtyllat sipas tij nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, siç thotë ai paraqiten “pengesa”.“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”- tha tutje Kurti.Kryeministri në detyrë potencoi se përfaqëson interesat e Kosovës duke shtuar se sa më mirë të sillet SHBA-ja me Beogradin aq më keq bëhet sepse siç thotë ai, autokratët dhe diktatorët nëse u shfaq pak bujari mendojnë se ke frikë prej tyre, jo se po tregohesh bujar.“Unë nuk jam Kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës: mos e arrestoni këtë kriminel serb sepse mund të na qortojnë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Nëse e kapin në flagrancë mirë për policinë tonë, keq për ta”- përfundoi Kurti.Ndryshe, vendi u përball me lajmin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.Më 12.09.2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.Ky zhvillim solli reagime dhe diskutime mbi ndikimin e mundshëm që një vendim i tillë mund të ketë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe partnerit të saj kryesor ndërkombëtar.
Ky veprim shihet si një mesazh i pakënaqësisë diplomatike dhe thekson vështirësitë në rikuperimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ekspertët e konsiderojnë pezullimin një alarm për stabilitetin politik dhe funksionalitetin e shtetit, duke evidentuar mungesën e kohezionit politik dhe sfidat ndaj rendit kushtetues.Partitë opozitare e cilësuan këtë si një ditë të errët për marrëdhëniet me aleatin kryesor, ndërsa Qeveria mohon se ka shkaktuar destabilitet dhe premton përpjekje për përmirësime.Presidenca deklaroi se do të angazhohet maksimalisht për rifillimin e dialogut, duke e parë si thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.KALLXO.com raportoi për mbylljen e strukturave paralele në Mitrovicë të Veriut, të cilat i përmendi edhe Kurti.
Objekti ku funksiononte Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Fondi për Sigurim Invalidor e Pensional sipas sistemit të Serbisë, është mbyllur më 12.09.2025 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.Sipas komunarëve, në hapësirat e brendshme të këtij objekti janë vërejtur punonjës të cilët kanë punuar me dokumentacion jovalid, teksa në mbylljen e objektit ka asistuar Policia e Kosovës.Më 9 shtator, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka mbyllur edhe një objekt në të cilin vepronte zyra e Gazetë Zyrtare të Serbisë dhe një librari. Në të u identifikuan punonjës të cilët nuk ishin të pajisur me dokumentacion për shfrytëzimin e hapësirës.Kosova në fillim të vitit 2024 filloi të mbyllë institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, duke i cilësuar ato si institucione të paligjshme dhe paralele.Që nga viti 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.
Lajme
Kurti në ShBA: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri
4:26 / 28 September 2025