Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet nesër në Tiranë.
Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrisë në njoftim për media, shkruan Lajmi.net.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt Tiranës ku do të merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se Kurti do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe takime tjera bilaterale.
“Në margjina të samitit, Kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, përfundon njoftimi.
Tirana do të presë takimin e radhës të nivelit të lartë të Procesit të Berlinit, i pari që mbahet jashtë një vendi të Bashkimit Evropian.
E lindur në vitin 2014, si një propozim i kancelares së atëhershme gjermane Angela Merkel për të përshpejtuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit, nisma ka meritën që arriti të ulë rreth së njëjtës tryezë udhëheqësit e vendeve të rajonit.
Në harkun e 9 viteve, Procesi i Berlinit njohu ulje-ngritje, ndërsa rrethi i vendeve anëtare që iu bashkuan, erdhi duke u zgjeruar.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, që në fillimet e detyrës së tij, premtoi rigjallërimin e kësaj nisme. Ndërsa agresioni rus në Ukrainë çoi në një qasje më aktive edhe të vetë BE-së ndaj rajonit.
Takimi i nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Tiranë, dhjetorin e kaluar bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit.