Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se së shpejti do të dërgohen ftesa për krerët e partive politike për rifillimin e diskutimeve ndërpartiake.
Ai tha se qëllimi është vazhdimi i dialogut politik dhe gjetja e një zgjidhjeje për çështjet aktuale në vend.
“Padyshim që do të bëj ftesa për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve.
Për këtë do të bëjmë edhe ftesa e do të ketë edhe takime, por çfarë ofertash do të ketë në ato takime duhet të presim që të ndodhin ato takime”, tha Kurti.
Koci: Dështimi do të ishte dhuratë për Serbinë dhe kundërshtarët tjerë të shtetësisë së Kosovës.
Analisit politik Melzaim Koci, në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se, kriza rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës mund të zgjidhet vetëm me kompromis mes VV-së dhe opozitës.
Ai propozon që të dy palët të heqin dorë nga kandidatët e tyre partiakë dhe të gjejnë një kandidat të pavarur e jo partiak si zgjidhje konsensuale.
Sipas tij, nëse vazhdohet me kandidatura partiake, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat nuk do ta ndryshojnë situatën politike, por vetëm do ta përkeqësojnë atë.
“Tejkalimi i krizës rreth zgjedhjes së presidentit ose presidentes së Kosovës mund të bëhet vetëm përmes një kompromisi. Dhe ai konsiston në kompromis të dyanshëm: VV të heqë dorë nga kandidimi i një kandidati nga radhët e kësaj partie dhe opozita gjithashtu të heqë dorë nga kandidimi i një personaliteti nga radhët e veta.
Zgjidhja është gjetja e një kandidati të pavarur dhe jo partiak. Nëse VV dhe opozita do të insistojnë në kandidatura nga radhët e tyre, Kosova mund të shkojë në zgjedhje tjera. Mjerisht ato nuk sjellin zgjidhje, por komplikim të situatës. Është iluzore të pritet rezultat dukshëm i ndryshëm nga ai i Shkurtit ose Dhjetorit 2025. Rrjedhimisht, askush nuk fiton asgjë nga zgjedhjet tjera parlamentare, por do të dalë e humbur Kosova”, thotë ai.
Tutje, Koci paralajmëroi se nëse brenda 30 ditësh nuk zgjidhet presidenti, Kosova rrezikon të dëmtohet seriozisht në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, një dështim i tillë do t’i shkonte në favor Serbisë dhe kundërshtarëve të shtetësisë së Kosovës, duke forcuar narrativat kundër saj.
Ai bën thirrje që politika të lërë anash interesat partiake dhe të veprojë në interes të shtetit, përndryshe do të përballet me pasoja dhe humbje besimi.
“Dështimi eventual për të zgjedhur presidentin në 30 ditët e ardhshme do të komprometonte Kosovën në përmasa ndërkombëtare. Dështimi do të ishte dhuratë për Serbinë dhe kundërshtarët tjerë të shtetësisë së Kosovës. Beogradi tash e më shumë se 100 vjet luan në tezën e shpifur sipas së cilës shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi shtetformuese. Kriza e zgjatur dhe e stërzgjatur do të shkonte në favorin e gjithë atyre që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan një Kosovë të pavarur.
Rrjedhimisht është çasti i fundit që klasa jonë politike të heqë dorë nga interesat individuale dhe partiake dhe në plan të parë ta nxjerrë interesin e Kosovës. Nëse nuk ia dalin, kjo do të jetë komprometuese për ta para opinionit kosovar dhe gjithë atyre që u angazhuan për dëbimin e Serbisë nga Kosova dhe për ngritjen e shtetit më të ri në Evropë” – u shpreh ai.
Nimani: Ftesa e Albin Kurti për liderët e opozitës mund të shihet si një hap pozitiv drejt dialogut politik
Kurse, analisti Artan Nimani në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ftesa e Albin Kurti për dialog është hap pozitiv, por ekziston rreziku që takimet të mbeten simbolike pa rezultate konkrete për shkak të mungesës së kompromisit.
“Kjo situatë politike mbetet një provë e rëndësishme për pjekurinë institucionale dhe bashkëpunimin ndërpartiak në Kosovë. Ftesa e Albin Kurti për liderët e opozitës mund të shihet si një hap pozitiv drejt dialogut politik dhe përpjekje për të shmangur një krizë të re institucionale, veçanërisht në një moment kur vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional.
Megjithatë, përvoja e mëhershme tregon se takimet ndërmjet pozitës dhe opozitës shpesh kanë përfunduar pa rezultate konkrete. Kjo ka ndodhur për shkak të dallimeve të thella politike, mungesës së kompromisit dhe shpeshherë edhe kalkulimeve elektorale të palëve. Në këtë kontekst, ekziston rreziku që edhe kësaj here takimet të mbeten më shumë simbolike sesa vendimmarrëse”, potencon ai.

Artan Nimani
Gjithashtu, Nimani theksoi se, ekziston mundësi për konsensus nëse partitë tregojnë fleksibilitet dhe vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak; përndryshe, rrezikohen zgjedhje të reja pa rezultate.
“Nga ana tjetër, rrethanat aktuale mund të krijojnë edhe një momentum të ri për konsensus. Mundësia e zgjedhjeve të reja parlamentare, lodhja e qytetarëve nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe nevoja për stabilitet institucional mund të shtyjnë partitë politike drejt një marrëveshjeje më pragmatike. Nëse palët tregojnë fleksibilitet dhe vendosin interesin shtetëror mbi interesat partiake, një konsensus për zgjedhjen e presidentit është i mundur.
Në fund, gjithçka do të varet nga gatishmëria reale për kompromis. Nëse takimet zhvillohen me vullnet politik dhe jo vetëm për efekt publik, atëherë ekziston mundësia reale për shmangien e zgjedhjeve të reja. Në të kundërtën, ekziston rreziku që të përsëritet skenari i mëparshëm, me takime pa rezultate konkrete dhe me vendin që shkon drejt një tjetër cikli zgjedhor”, përfundoi ai për “Bota sot”.