Lajme

Kurti për AP: Escobar dhe Lajçak po vijnë te ne me kërkesa të Serbisë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:53 / 8 June 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “The Associated Press”, është ankuar se emisarët ndërkombëtarë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, po tregohen të njëanshëm sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi – përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak – “vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha ai në një intervistë për AP.

ShBA dhe BE i kanë kërkuar Kosovës që të tërheqë forcat e saj speciale të policisë nga veriu i Kosovës, dhe të mbajë zgjedhje të reja komunale, në komunat ku jetojnë shumica e pakicës etnike serbe.

Kurti këmbënguli se forcat speciale të policisë nuk mund të “zvogëloheshin” derisa bandat kriminale serbe ose të largoheshin nga vendi ose të arrestoheshin. Ai tha se do të kishte paqe në Kosovë nëse nuk do të kishte “urdhra për dhunë nga Beogradi”.

Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor, tha Kurti.

Kurti u ankua se edhe për zgjedhjet e parakohshme të prillit në katër komunat veriore me shumicë serbe, “ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, lehtësuesit evropianë na dështuan”.

Ai tha se ata i kërkuan Kosovës të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk ushtronin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë për të marrë pjesë në votim.

Kurti tha se do t’i duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur pluralizmin politik në pakicën etnike serbe “për një konkurrencë të ndershme, për një garë demokratike për kryetarët e rinj të bashkive”.