3:30 / 6 January 2025
Në një tubim me qytetarë në Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti kishte një mesazh për mërgimtarët që nuk kanë arritur të regjistrohen me kohë për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025. “Ata të cilët nuk janë regjistruar u mbetet metoda e vjetër: me aeroplan, autobus ose veturë”- tha Kurti në fjalimin e tij në tubimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” më 05.01.2025. Gjatë këtij tubimi, Kurti ka përmendur ato që ai i ka quajtur suksese të qeverisjes së tij gjatë vitit 2024.
Në mesin e tyre ka përmendur faturimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit. Gjithashtu, ai tha se ka përmirësime në shëndetësinë publike, pasi siç tha, ka transformime rrënjësore në klinikat e vendit. “Në shkurt çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta… Janë rritur pensionet. Paga minimale pas trembëdhjetë vjetësh është shumëfishuar” – shtoi i pari i Qeverisë. Kurti përmendi edhe funksionalizimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Dhe, si sukses tjetër, ai përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e fabrikës së municioneve. Kryeministri ka përmendur edhe rritjen ekonomike. Ai tha se kjo rritje nuk është bërë me borxh të ri. “Përkundrazi, e kemi zvogëluar”. “Në mandatin e ardhshëm patjetër duhet ta reformojmë me shpejtësi sistemin e drejtësisë” – tha Kurti, i cili përmendi Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. “Të dashur mitrovicas, deri tash e kanë shty, nuk munden ma. Një herë Gjykata Kushtetuese na rrëzoi 5 me 2. Tash prapë është në Gjykatë Kushtetuese (Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme). S’kanë ku me shku ma. Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret” – tha Albin Kurti, duke shtuar se nevojitet edhe reforma e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Duke folur për situatën në veri të vendit, kryeministri tha se atje është shtrirë ligjshmëria e kushtetutshmëria. Ai foli edhe për sulmet terroriste në Banjskë dhe në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”. “Ato ishin aksione dëshpërimi dhe të dështuara. Ata sa herë të provojnë do të dështojnë” – theksoi ai. Në këtë tubim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Hekuran Murati dhe Arben Vitia./kallxo.com