Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për tensionet e krijuara në veri të vendit duke shtuar se situata e tillë është shkaktuar për shkak të “panikës së Beogradit”.
Kurti deklaroi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Serbisë që të zgjedhë mes “Perëndimit dhe Rusisë”.
“BE dhe SHBA po i bëjnë presion të madh Serbisë të zgjedhë mes Perëndimit demokratik dhe Rusisë”, tha Kurti për Der Spiegel, transmeton Gazeta10.
Kurti foli edhe rreth kërkesës së Serbisë për kthimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë.
“Duket se Vuçiqi dëshiron ta kthejë Serbinë në të kaluarën. Por, ky tren është larguar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të deklaratës sonë të pavarësisë. Nuk ka gjykatë më të lartë në këtë planet”, është shprehur Kurti.
Kujtojmë që sot është dita e nëntë prej kur serbët kanë vendosur barrikada në veri të vendit duke bllokuar qarkullimin në këtë pjesë.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka mbyllur edhe pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak si shkak i sigurisë.
Serbët vendosën bllokada si shenjë revolte për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq, që dyshohet për organizimin e sulmeve ndaj zyrave të KQZ-së në veri të vendit.