Lajme

Kurti për rezultatin e LDK-së: Votuesit u larguan sepse partia nuk deshi koalicion me Vetëvendosjen

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:46 / 5 January 2026

Kryeministri në detyrë thotë se udhëheqja e LDK-së u perceptua si bllokuese dhe pa vullnet për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar rezultatin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se një pjesë e votuesve të kësaj partie janë larguar për shkak të refuzimit të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti deklaroi se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, udhëheqja e LDK-së u perceptua nga qytetarët si bllokuese e çdo bashkëpunimi politik, në një kohë kur kjo parti kishte dalë e treta në zgjedhje.

“Përshtypja ime është që, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, udhëheqja e LDK-së u pa nga qytetarët e Republikës si bllokuese e çfarëdo bashkëpunimi. Në kushtet kur del subjekti i tretë, dhe me një dallim të madh prej të parit e jo të vogël edhe prej të dytit, të mos dëshirosh as të komunikosh, as të takohesh, as të bashkëpunosh, nuk mendoj që ka qenë racionale,” tha Kurti.

Ai shtoi se, sipas tij, LDK-ja nuk ofroi asnjë alternativë tjetër për tejkalimin e situatës politike dhe ecjen përpara të institucioneve.

“Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë lloj alternative se si të ecet përpara. Në këtë kuptim, ka mundësi që një numër i konsiderueshëm i votuesve të LDK-së, që kanë dashur ta shohin koalicionin me Vetëvendosjen në legjislaturën e kaluar, janë larguar prej mbështetjes së LDK-së,” theksoi Kurti.

Deklaratat e kryeministrit në detyrë vijnë në kohën kur në skenën politike po vazhdojnë debatet rreth rezultateve zgjedhore dhe formimit të institucioneve të reja në Kosovë.