Lajme

Kurti për tragjedinë në Lepenc: Shkëlqimit i uroj shërim të shpejt, ngushëllime familjes Pacolli dhe Visoka

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:16 / 18 June 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tre qytetarëve të Kosovës pas rënies me veturë pas aksidentimit në lumin Lepenc përgjatë ditës së djeshme.

Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’ I ka uruar shërim të shpejt të mbijetuarit e tragjedisë, Shkëlqim Pacollit, shkruan Gazeta Insajderi.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë. Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre.  Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh”, ka thënë kryeministri Kurti.

I pari i Qeverisë ka falënderuar FSK-në, Policinë e Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit, si dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut për koordinimin dhe angazhimin.

Pak më herët, ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, njoftoi për nxjerrjen e veturës me trupa të pajetë në të nga lumi Lepenc.

Gjatë ditës është raportuar se është arrestuar shoferi me të cilën është aksidentuar vetura e familjes Pacolli. Sipas autoriteteve maqedonase, ngasësi i arrestuar ishte me targa të Shkupit.