Kryeministri në detyrë kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiqit për rifillimin e dialogut dhe shpreh shqetësim për lidhjet e Serbisë me Rusinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet i vështirë përderisa Beogradi nuk njeh krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut.
Në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Kurti ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të normalizohen, por ka potencuar se për rifillimin e dialogut Serbia duhet të dorëzojë Milan Radoiçiqin, i akuzuar për planifikimin e sulmit në Banjskë në vitin 2023. Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania do të ushtrojnë presion mbi Beogradin për ta bërë këtë.
Kurti ka folur edhe për lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, duke paralajmëruar se, në rast se Moska do të synonte destabilizimin e rajonit në marshimin e saj drejt Evropës Perëndimore, Serbia mund të shërbejë si aleate e saj. “Kjo është shqetësuese për vendin tonë, por po punojmë me partnerët tanë për ta parandaluar një skenar të tillë”, u shpreh ai.
Po ashtu, Kurti komentoi marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për pranimin e deri në 50 migrantëve nga vendet e treta, të ekstraduar nga SHBA-ja, duke bërë të ditur se deri më tani në Kosovë ka arritur vetëm një person. Ai theksoi se Kosova nuk po kërkon ndihmë financiare në këmbim të kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar atë si mbështetje për një aleate dhe mike të vendit, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e marrëveshjeve të ngjashme edhe me shtete evropiane.