Sipas tij, një qeveri që synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë.
“Për herë të parë që prej pavarësisë së Republikës sonë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Deri më tani gjatë qeverisjes sonë kemi ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19, gjatë qeverisë sonë të parë në vitin 2020. E kur vërshimet e vitit 2021 goditën Komunën e Preshevës, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Siguruam tekstet mësimore në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë. Financuam bursa studimi për 107 studentë shqiptarë. Për ata studentë që studiojnë në Kosovë, i lehtësuam procedurat administrative duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar nga 2500 euro në vetëm 500 euro. Ndërkaq me rregulloren e re të Ministrisë së Drejtësisë për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’i mundësohet realizimi i të drejtave të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë”, ka shtuar ai.