Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar diplomimin e 350 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar përkushtimin e qeverisë dhe popullit për t’i mbështetur ata në çdo kohë.
“Teksa ata u betuan për të përballur çdo armik e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, në çdo kohë, ne zotohemi para tyre që do ta kenë gjithnjë përkrahjen e popullit, shtetit dhe qeverisë,” shkroi Kurti në postimin e tij.
Ai vuri në pah edhe investimet në sektorin e mbrojtjes gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se “me mbi 300 milionë euro investime në këto katër vitet e fundit dhe mbi 2700 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar – 123% më shumë ushtarë se në vitin 2021 – ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit.”
Kryeministri shtoi se ushtria e Kosovës është një forcë “me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm, për sovranitet shtetërorë të paprekshëm e integritet territorial të pacenueshëm.”
Në përfundim, Kurti uroi ushtarët duke thënë: “Qofshin me shëndet e me forcë për krejt atdheun tonë në çdo kohë, e gjithnjë faqebardhë!”.