Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas dështimit të votimit për qeverinë e propozuar në Kuvend, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kurti tha se do të vazhdojnë të funksionojnë si qeveri në detyrë.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkroi Kurti.
Ai publikoi gjithashtu një video nga ekspozeja e tij në Kuvend.
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti u bëri thirrje që të votojnë në interes të popullit dhe të mbështesin formimin e Qeverisë.
Megjithatë, pas paraqitjes së listës së ministrave, Qeveria “Kurti 3” mori vetëm 56 vota për.
Ky rezultat ishte i pritshëm, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin apo hynin në koalicion me Vetëvendosjen. Të njëjtat qëndrime mbetën të palëkundura edhe sot.
Tashmë pritet që presidentja Vjosa Osmani t’i thërrasë partitë politike për takime konsultative brenda afatit kushtetues dhe ligjor.