Zbatimi i ligjit kundër interesave të fuqishme të biznesmenëve për përfitime financiare nuk përbën sulm ndaj medias, ka thënë të shtunën kryeministri Albin Kurti.
Të premten, MINT-i refuzoi ankesën e “KlanKosovës” duke ia pezulluar veprimtarinë. Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë. Por vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit nxiti reagime. Përveç akterëve politikë vendorë, reaguan edhe shtetet e QUINT-it, që dënuan vendimin e MINT-it.
Por Kurti i ka dhënë mbështetje të plotë vendimit të MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.
Zbatimi i rregullave, sipas Kurtit, nuk kërcënon pluralizmin mediatik.
“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar Kurti në Twitter.
“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka shkruar tutje kryeministri.