Disa muaj më parë ministri i Bujqësisë Faton Peci, e kishte themeluar një Komision për hetimin e vërjejtjeve përtej një dekadëshe të bëra nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës për menaxhimin jo të mirë të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili është pjesë e Ministrisë së Bujqësisë.
Si rezultat i hetimit të Komisionit, dolën të dhëna, që ministri i Bujqësisë Faton Peci i kualifikoi si skandaloze. “Shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, shkroi ai.
Çështjet e të gjeturave janë në disa fusha, përkatësisht kanë të bëjnë me shumë gjëra, si me uzurpim pronash, ata që i kanë uzurpuar i kanë lëshuar me qera disa hapësira, ndërsa në tokat e uzurpuara kanë ndërtuar vila, nuk dihet nëse këto i kanë ndërtuar vetëm për vete apo edhe i kanë ndërtuar e shitur më pas.
Qira qesharake
Në qendër të Prishtinës, AAK-ja paguan një qera prej 2.500 eurosh në muaj, për një hapësirë që shkon në gati një mijë metra katror, në njërën prej vendeve më të mira apo më të bukura të Prishtinës, në lagjen Ulpiana, buzë rrugës qendrore.
Madje kjo është qeraja më e lartë që paguhet, nëse merren parasysh disa kontrata biznesesh, që ndërlidhen me Institutin bujqësor.
Por, ngjitur me të është ndërtuar një aneks dykatësh për të bërë biznes, i gjithi duket i rrethuar me xhama. Ndërsa, më tej, ngjitur me të është në ndërtim një objekt tjetër, po në tokën e Institutit të Bujqësisë, për të cilin ‘investitor’ Ministria e Bujqësisë nuk e ka idenë ende, thonë zyrtarët e saj.
Siç thamë më sipër se janë bërë kontrata për qira me çmime të volitshme, dhe çuditërisht, nga ato, që kemi parë ne, të gjitha janë me të njëjtin çmim, 20 euro për 100 metra katrorë (një ari vend) apo 20 cent për metër katror, një çmim që po konsiderohet shumë i ulët, dhe madje edhe i kurdisur po mendohet.
Tokat shfrytëzohen nga pompa benzine luksoze, veprimtari biznesore me materiale ndërtimi etj., të cilat reklamojnë apo kanë imazh të bizneseve të fuqishme.
Ndërsa, si kemi shkruar edhe dje, duket se çështja kryesore e skandaleve në këtë ministri, përkatësisht e një krimi të kryer për shumë kohë, është ndërtimi i mbi 20 vilave në Stankaj të Pejës.
Trysni ndaj Ministrisë
Por, sipas banorëve të atjeshëm, mund të ketë edhe ndërtime, që duken tamam si hotele, por për këto informacione, Ministria në raportin e saj, nuk ka të dhëna.
Këto nuk dihet nëse kanë leje apo jo, për ndërtim, por është e sigurt, që çfarëdo që të ketë ndodhur, nuk është bërë me leje të Ministrisë së Bujqësisë apo të Institutit bujqësor, sipas raportit zyrtar të Komisionit hetimor.
Ministri është zotuar se Ministria do të ndërmerrë, “të gjitha veprimet administrative dhe ligjore”, për vendosjen e ligjshmërisë, kthimin e atyre pasurive në menaxhimin e Ministrisë.
“Ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”, ka shkruar ministri.
Të mërkurën, Prokuroria i është përgjigjur kësaj ftese publike, dhe i ka hapur zyrtarisht hetimet. Deri më tani nuk ka asnjë informacion nëse hetuesit kanë dalur në terren dhe janë duke i mbledhur provat!
Por, sikurse kemi shkruar ne të mërkurën, menjëherë kanë filluar trysnitë, telefonatat, dhe në një mënyrë apo tjetër është rritur pasiguria e stafit dhe vetë ministrit Faton Peci.
Të paktën që nga dje, ministri Peci është marrë nën mbrojtjen e njësisë policore për mbrojtje të afërt.
Gjërat duken më të komplikuara nga sa shihen. Disa nga gjërat si duket janë lejuar apo pranuar nga Instituti bujqësor, ku drejtor prej vitesh është vëllai i Sabit Gecit, njëri prej figurave të luftës, i shoqëruar me shumë akuza dhe kundërakuza, që ka mbajtur edhe disa vite burg.
Është e habitshme edhe se sa pak e madje shumë media si kanë kushtuar rëndësi fare këtij rasti, shumë kompleks, dhe kryesisht i anashkaluar me dekada.
Por, ajo që është shqetësuese në këtë rast del të jetë ambienti, pasiguria edhe kur zyrtarë të lartë të shtetit i denoncojnë rastet kriminale, grupet e përfshira gjejnë mënyrën për të ushtruar trysni dhe për të krijuar pasiguri.