I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka takuar të dërguarin special të SHBA-së, Gabriel Escobar.
Kështu ka njoftuar Lajçak në një postim në platformën X, nga ku nuk ka dhënë detaje për temat e diskutuara gjatë takimit me Escobar-in.
Ai ka shtuar se me Escobar pret biseda të tjera gjatë qëndrimit në SHBA.
“Sapo mbërrita në SHBA. Kam pasur një takim shumë produktiv me emisarin special të SHBA-së, Escobar-in, duke hulumtuar disa biseda të thella. Po pres me padurim biseda të tjera pasuruese gjatë qëndrimit tim këtu”, ka shkruar Lajçak.
Ndërsa, ndihmëssekretari amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka paralajmëruar një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilën do të koordinohen lidhur me Ballkanin Perëndimor.
O’Brien në një postim në platformën X shkruan se së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, planifikojmë të presin në fund të kësaj jave të dërguarin e BE-së, Lajçakun.
Ndryshe, me O’Brien javë më parë është takuar edhe kryeministri Albin Kurti gjatë një vizite në Gjermani.
O’Brien kishte njoftuar se në takimin me Kurtin ka kërkuar përparim urgjent në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.