Lajme

​Latifi: Mund të ketë skenarë për ta larguar AAK-në nga parlamenti, por pragu nuk është çështje debati

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:54 / 20 December 2025

Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi ka deklaruar se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, mund të ketë qarqe e skenarë për ta larguar AAK-në nga Kuvendi i Kosovës, porse sipas tij për AAK-në nuk duhet të jetë i diskutueshëm pragu.

Sipas Latifit, AAK-ja do të ketë rritje të dukshme në këto zgjedhje, e të vazhdojë me fitoren e radhës pas zgjedhjeve lokale në vend, për konsolidimin e shtetit.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, njëkohësisht kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se edhe gjatë zgjedhjeve lokale ka pasur përpjekje për ta larguar AAK-në, duke përfshirë edhe Rahovecin.

Latifi: Mund të ketë ide dhe qarqe e skenarë që si t’ia bëjnë disi që ta qesin nga sistemi Aleancën

“Për AAK-në besoj se nuk diskutohet pragu, AAK është forcë politike e konsoliduar, mund të ketë ide dhe qarqe e skenarë që si t’ia bëjnë disi që ta qesin nga sistemi Aleancën. Ka pasur përpjekje edhe në zgjedhjet lokale, ka pasur përpjekje edhe në komunën tonë, por sidoqoftë pesë komuna të fituara, me një energji për të vazhduar me fitoren e radhës që duhet ta realizojmë bashkë me qytetarët, më datë 28 dhjetor edhe pse nuk ka qenë dëshira dhe vullneti jonë që të kemi përsëri zgjedhje”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, AAK-ja do të ketë rritje të dukshme e cila do t’i shërbej Kosovës për konsolidimin e shtetit dhe për sfidat që po kalon vendi ynë.

Sipas Latifit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kapacitet për të kryer punë të mëdha, që nuk mund t’i përfundojë një parti tjetër politike.

Latifi: Ne do të kemi një rritje të dukshme që do t’i shërbej Kosovës për konsolidimin e shtetit

“Ne do të kemi një rritje të dukshme e cila do t’i shërbej Kosovës për konsolidimin e shtetit. AAK do t’i shërbej që të ketë impakt të ri në zhvillimet dhe sfidat që po kalon Kosova si në pikëpamje të mirëqenies ekonomike e sociale dhe po ashtu në integrimin euroatlantik dhe sigurisë, sepse duhet të punojmë që Kosova të jetë sa më shpejt në NATO, si ombrellë e arkitekturës së sigurisë dhe garancë për sigurinë nga përplasjet apo kërcënimet dhe në plot aspekte të tjera që të kemi një stabilitet.. 33:00 AAK-ja ka përvojën, vullnetin dhe përkushtimin dhe ka kapacitetet me i kryer disa punë të mëdha që nuk mbërrin me i përfundua një forcë tjetër politike… Haradinaj si përfaqësues besoj se vazhdon të jetë edhe i dobishëm dhe i rëndësishëm dhe është jetike të jetë jo vetëm në parlament”, ka thënë Latifi.

Formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, Latifi thotë se duhet të jenë funksionale pas rezultatit zgjedhor, derisa shton se është e rëndësishme që ish-opozita të udhëheq Qeverinë dhe Vetëvendosje të kalojë në opozitë.

Latifi: Do të ishte e rëndësishme që LVV-ja të kaloj në opozitë

Do të ishte mirë që Kosova të ketë një parlament funksional pas rezultatit zgjedhor, të zbatohet dhe të formohet parlamenti e qeveria dhe shpresojmë që qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë e nevojshme, besoj që është e rëndësishme që ish-opozita të udhëheq qeverinë pas këtyre zgjedhjeve. Do të ishte e rëndësishme që LVV-ja të kaloj në opozitë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, është i pamohueshëm fakti se sa dëm është për Kosovën që më shumë se nëntë muaj nuk ka institucione funksionale, e shkaktari kryesor i kësaj krize është Lëvizja Vetëvendosje.

Ai është shprehur se është e patolerueshme që të ketë vonesa pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, prandaj, sipas tij, qytetarët duhet të ndëshkojnë partitë politike me votë për shkaktimin e krizave, e në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje.

Latifi: Dëme iu janë bërë Kosovës pasi që për më shumë se nëntë muaj nuk ka institucione

“Kriza është shumë e madhe dhe i pamohueshëm fakti se sa dëm është për Kosovën që më shumë se nëntë muaj nuk ka institucione dhe të mos zbatohet rezultati zgjedhor i 9 shkurtit dhe besoj që LVV ka marrë mësim, si shkaktari kryesor i kësaj krize, se është partia më e madhe politike, të gjithë kemi përgjegjësi, edhe unë këtu që po flas pse Kosova nuk pati institucione funksionale gjatë kësaj periudhe. Besoj që është e pa tolerueshme të kemi vonesa pas këtyre zgjedhjeve dhe besoj që kanë marrë mësim të gjithë dhe qytetarët kanë kuptuar që duhet ta merr një ndëshkim me votën demokratike ai që shkakton kriza, të gjithë duhet ta marrin këtë ndëshkim, por më të madhin ai që ka qenë i pari”, është shprehur Latifi.

Latifi i fton qytetarët që të votojnë me mendje e jo me zemër.

Pas gati nëntë muajsh pa institucione funksionale, 28 dhjetori u caktua si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës.