Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të nisë hetime lidhur me dyshimet për shkelje të rënda të rregullores REMIT dhe Ligjit të Komunitetit të Energjisë.
Përmes një postimi, Bajrami ka theksuar se dëmi që i është shkaktuar qytetarëve është “kolosal” dhe ka shtuar se askush nuk ka të drejtë të përfitojë në kurriz të tyre.
“Prokuroria Speciale duhet të fillojë hetimet për këto shkelje. Dëmi është kolosal. Askush nuk ka të drejtë të pasurohet duke e rënduar barrën financiare të qytetarëve”, ka shkruar ajo.
Në lidhje me këtë çështje, Janina Ymeri nga LDK ka bërë të ditur se partia ka dorëzuar një ankesë formale pranë Agjencisë për Bashkëpunim të Rregullatorëve të Energjisë të Bashkimit Evropian (ACER) dhe pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
Sipas Ymerit, ankesa përshkruan një sjellje të përsëritur gjatë vitit 2024 që sugjeron një strategji të koordinuar për bllokimin e kapaciteteve në kufijtë energjetikë të Kosovës. Dyshimet përfshijnë kompanitë EFT Group dhe NOA Energy Trade Sh.p.k., të cilat akuzohen për manipulim të tregut me qëllim të kontrollit të importit dhe rritjes ekstreme të çmimeve për akses ndërkufitar të energjisë.
LDK kërkon që institucionet përgjegjëse, në vend dhe ndërkombëtarisht, të trajtojnë seriozisht këto dyshime dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e interesit publik./Telegrafi/