Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se presidenti i ri i shtetit nuk mund të zgjidhet me improvizime procedurale, por me një marrëveshje të mirëfilltë politike dhe sipas kësaj partie dështimi i mundshëm është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë.
Partia opozitare ka theksuar se mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.
Grupi Parlamentar i LDK-së riafirmon qëndrimin e tij të palëkundur për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike në vend. LDK konsideron se çdo veprim politik në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake”, thuhet në njoftimin e LDK-së për mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Tutje thuhet se institucioni i presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës.
Siç ka theksuar vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje dhe për menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë.
“Çdo dështim për të arritur një zgjidhje do të bartë drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje. Në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar”, thuhet në njoftim.