Lajme

Lekaj: “Qeveria Kurti, më e dobëta që nga shpallja e pavarësisë”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:20 / 23 August 2022

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se jeta e qytetarëve me qeverinë Kurti është bërë më e vështirë.

Lekaj në këtë intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës gjendja nuk ka qenë më e keqe. “Qeveria Kurti e mori mbështetjen masive duke proklamuar shpresë për të rinjtë, vende të reja pune e jetë më të mirë. Që nga marrja e detyrës së kësaj qeverie, po shohim që gjendja ka ndryshuar për të keq në çdo fushë në vend”, është shprehur Lekaj, duke shtuar se qeveria Kurti është e paaftë ta zgjidh krizën energjetike në vend.

“Kemi bllokim të buxheteve komunale nga paaftësia apo inati i pushtetit qendror. Kemi rritje të inflacionit prej 14 për qind, e ku pavarësisht kërkesës sonë për largim të TVSh-së në produktet bazike, qeveria ka heshtur. Shohim se gjendja me energji elektrike kurrë nuk ka qenë më e keqe pas pavarësisë se sa tani. Kemi reduktime e shtrenjtim të energjisë për qytetarët që paguajnë energjinë por jo edhe për ata në pjesën veriore, ku vetëm para pak ditësh qeveria i ka ndarë 40 milionë për atë pjesë”, është shprehur Lekaj.

Më tutje, Lekaj në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për luftë. Sa i përket dialogut, Lekaj ka thënë se qeveria Kurti ka qasje të gabuar. “Kurti duhet të insistojë në një dialog ku diskutohet për marrëveshjen finale me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-së”, ka deklaruar Lekaj.

Ndërsa deklaratën e Kurtit për rrezikun e një luftë me Serbinë, Lekaj e ka quajtur të pamatur dhe absurde. “Kosova ka institucione kredibile të sigurisë dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, të cilat garantojnë stabilitet dhe ruajnë kufijtë e vendit. Sa i përket deklaratave të kryeministrit për rrezikun për luftë, unë i konsideroj të pamatura dhe absurde”, ka thënë Lekaj.