Lajme

Less: Nëse refuzon themelimin e Asociacionit, ShBA-ja mund ta rrëzojë Kurtin

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:13 / 15 January 2023

Asociacioni është tema kryesore që po diskutohet tashmë në të gjitha qarqet vendore dhe ndërkombëtare.

Së fundi për këtë ka folur edhe Timothy Less, aktualisht studiues në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, ndërsa në të kaluarën ka shërbyer edhe si diplomat.

Sipas Less, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm kanë rritur presionin ndaj Kosovës e Serbisë, në mënyrë që palët ta gjejnë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai pretendon se Vuçiqi është i gatshëm për një vendim siç e etiketoi “jopopullor”, ndërsa tani varet nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Ne e dimë se çfarë duan ata – në rastin e Serbisë, ta themelojnë Bashkësinë e Komunave Serbe (CSM) pa njohjen e Kosovës; dhe në rastin e Kosovës, njohja nga Serbia pa krijuar Asociacionin.

Ne e dimë se ka presion të madh diplomatik mbi Serbinë dhe Kosovën për të rënë dakord për një marrëveshje që përfshin krijimin e Asociacionit në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia, praktikisht në afat të shkurtër dhe zyrtarisht në afat më të gjatë.

Dhe ne e dimë se Perëndimi ka ndikim mbi të dyja palët, më qartë fuqinë e tij për të dhënë ose për ta ndaluar anëtarësimin në BE”, tha fillimisht Less për Express.

Veç kësaj, komentoi edhe pafuqinë e Vuçiqit për t’iu kundërvënë Fuqive të Mëdha, andaj edhe po e konsideron opsionin e njohjes në këmbim të Autonomisë për Veriun.

Madje, raportohet se kjo tezë ka filluar të përflitet goxha edhe në Serbi.

“Kështu thuhet, ditët e fundit qeveria në Serbi ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për taa arritur një marrëveshje të bazuar në idenë e njohjes në këmbim të autonomisë për veriun e Kosovës. Vuçiq ka folur për paaftësinë e tij për t’iu kundërvënë Fuqive të Mëdha dhe për gatishmërinë e tij për të arritur një kompromis me kusht që ai të mos jetë një poshtërim për Serbinë.

Ai ka spekuluar publikisht për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. Ai gjithashtu ka njoftuar se nuk do të kandidojë më në detyrë, gjë që është një shenjë se po përgatitet ta ndërmarrë një hap jopopullor. Ndërkaq, Bërnabiq ka përsëritur se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, për çka parakusht është njohja e Kosovës”, vleroi Less.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti e ka përmendur faktin se në planin franko-gjerman ka një paragraf për të drejtat e atyre që nuk i përkasin shumicës.

Ndërkaq, pak javë më parë, në një intervistë dhënë A2CNN, pat pranuar edhe drejtpërdrejt se Asociacioni mund të jetë pjesë e dialogut që sa i përket anës së Kosovës, i takon “ex officio” ta udhëheqë ai.

Kurti kishte thënë se kjo çështje mund të diskutohet në kryeqendrën evropiane.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje e cila është bërë në vitin 2013, pastaj, kur është konkretizuar në vitin 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje Asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”.