Lajme

Letër e hapur kryeministrit të Kosovës, z.Albin Kurtit

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:43 / 1 March 2026

NGA: AGIM ALIÇKAJ 

I nderuari Kryeministër,
I nderuari z. Albin Kurti,

Po ju drejtohem si një përkrahës i palëkundur i juaji dhe si një veprimtar i angazhuar për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja ime, si dhe ajo e shumë kolegëve të mi në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë, bazohet në bindjen e fortë se ju përfaqësoni interesin shtetëror dhe integritetin politik të Republikës së Kosovës.

Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për unitet në qeverisjen e shtetit. Populli ju ka dhënë besimin për të udhëhequr qeverinë, ndërsa znj. Vjosa Osmani gëzon mbështetje të gjerë për postin e Presidentes. Ky konfigurim institucional është rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe duhet respektuar si i tillë.

Çdo mospajtim i mundshëm është pjesë normale e qeverisjes demokratike, por qytetarët presin që ato të trajtohen me maturi, në mënyrë konstruktive dhe brenda kornizës institucionale.

Çdo përçarje ndërmjet jush do ta dëmtonte drejtpërdrejt stabilitetin e vendit dhe do t’u shërbente kundërshtarëve të shtetit të Kosovës. Historia na ka mësuar se momentet e brishta kërkojnë lidership të matur, jo tensione të panevojshme.

Shpresoj që do të gjeni një zgjidhje për ruajtjen e unitetit institucional dhe për vazhdimësinë e stabilitetit politik. Zgjedhjet e parakohshme do të ishin të dëmshme dhe një hap prapa në konsolidimin demokratik.

Në këtë moment nuk shoh asnjë kandidat që i plotëson kushtet qoftë edhe për së afërmi sa Presidentja Osmani. Kushdo që bojkoton rizgjedhjen e saj dhe shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të ndëshkohet nga vota e popullit.

Populli pret vendime të mëdha nga liderë të mëdhenj në momente vendimtare. Ky është një nga ato momente.

Jam i bindur se vendimet që do të merrni do të jenë në funksion të stabilitetit, unitetit dhe të ardhmes afatgjatë të Republikës së Kosovës.

Me respekt të veçantë,
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane