Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kryetar Komune në Drenas.
Sipas rezultateve të deritanishme, kandidati Ramiz Lladrovci, që garon nën mbështetjen e iniciativës “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, është në epërsi me 52.31 %
Pas kësaj ka dal me reagim Ramiz Lladrovci i cili tha se kjo fitore ka befasuar siç tha ai “shumë amatorë politikë”.
“Qytetarët kampionë u përcaktuan për kryetarin kampion! Krenar me juve qytetarë të Drenasit – qytetarë të zemrës së Kosovës! E di se e jetuat e përjetuat këtë fushatë ndoshta më rëndë se unë dhe familja ime, por, edhe ju edhe unë e kemi ditur se jemi në rrugën e drejtë, prandaj fituam. Fitorja në Drenas, e di, ka befasuar shumë amatorë politikë, por, nuk e befasoi qytetarin krenar, dinjtoz e me integritet të Drenasit“, tha ai.
Lladrovci përmendi se ka marrë më shumë vota se PDK në Skenderaj.
“Kemi dhënë shumë për lirinë e Kosovës dhe nuk e kemi merituar trajtimin që u përpoqën të na bëjnë. Befasia e këndshme, bashkë me fitoren për Drenasin, është befasia tjetër, kemi marrë më shumë vota “Për Drenasin Kampion” se PDK në Skenderaj. Drenasi është zemra e Kosovës, krenar me të gjithë qytetarët, vazhdojmë me qeverisjen e mirë, transparente e llogaridhënëse“, tha ai.