Lajme

Lladrovci i kundërvihet Haxhiut: Ma kadal ministre, mos e kap historinë për bishti

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:44 / 28 June 2023

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, iu është kundërpërgjigjur ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kjo e fundit ka publikuar emrat e deputetëve që e kanë votuar Marrëveshjen e parë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga kjo marrëveshje, ministrja Haxhiu pretendoi se ka dalë “Zajednica”.

Lladrovci, me anë të një postimi në ‘Instagram’, i cili ishte pjesë e deputetëve që votuan këtë marrëveshje më 2013-ën, tha se është krenar me votën e tij, shkruan Gazeta Insajderi.

“Unë isha njëri nga deputetët që votova atë ligj dhe fare nuk pendohem as kërkoj falje, siç sot kërkon Ministrja. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ka hapur rrugë integrimit të serbëve të katër komunave të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

“Sa merreni me vitin 2013, pse nuk i konsultoni aleatët se çka është më mirë për Kosovën, aleatët dinë më shumë se ju. Qeverisja është përgjegjësi jo propagandë. Ma kadal Ministre, mos e kapni për bishti historinë e re të Kosovës!”, ka thënë më tej ai.

Drejtuesja e dikasterit të Drejtësisë gjatë ditës ka kërkuar kërkimfaljen nga të gjithë deputetët që votuan këtë marrëveshje.